Pas inaugurimit të Shkollës Kombëtare të Fluturimit, kryeministri Edi Rama njoftoi se hapi i radhës në modernizimin e Forcave të Armatosura do të jetë ngritja e Shkollës Kombëtare të Forcave Speciale.

Gjatë ceremonisë në Bazën Ajrore të Rinasit, Rama bëri të ditur se qendra e re do të zhvillohet në bashkëpunim me partnerë izraelitë, të cilët i cilësoi si ndër më të mirët në botë në fushën e trajnimit dhe certifikimit të forcave speciale.

“Jemi në diskutime me partnerët tanë për të sjellë një nga ekselencat botërore të stërvitjes, trajnimit, edukimit dhe certifikimit të forcave speciale nga Izraeli”, deklaroi kryeministri.

Sipas tij, shkolla do të jetë e hapur edhe për kadetë nga vendet aleate të rajonit, duke nisur me Kosovën, ndërsa synimi është që ajo të shndërrohet në një qendër rajonale ekselence.

Rama theksoi se ambicia e qeverisë është që, së bashku me Shkollën Kombëtare të Fluturimit, këto dy institucione të kthehen në pole të rëndësishme të transformimit të sistemit të mbrojtjes dhe të bashkëpunimit me vendet aleate.

Ai shtoi se projekti do të realizohet në bashkëpunim me partnerët e sigurisë dhe forcave ajrore të Izraelit, ndërsa shkolla do të mbetet e hapur edhe për bashkëpunime me partnerë të tjerë ndërkombëtarë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu