Protesta e opozitës dhe qytetarëve në Tiranë vijoi deri në orët e vona të mbrëmjes, me marshime në disa akse të kryeqytetit dhe ndalesë para Komisariatit nr. 3, ku mbahen disa prej protestuesve të shoqëruar pas përplasjeve të paradites pranë Kuvendit.

Pas përfundimit të tubimit para Kryeministrisë, mijëra protestues marshuan fillimisht drejt qendrës së Tiranës, më pas në zonën e “9-Katësheve” dhe në rrugën “Mine Peza”, ku ndodhet komisariati.

Gjatë marshimit u dëgjuan thirrje si “Lironi çunat”, “Polici e krimit”, “Rama jep dorëheqjen”, “Shqipëria kërkon revolucion”, si dhe “Rama në burg, Berisha në burg”.

Protestuesit kërkuan lirimin e të ndaluarve gjatë protestës së zhvilluar më herët para Kuvendit, ku pati përplasje me forcat e policisë, përdorim të gazit lotsjellës dhe sprajit me piper, si edhe shoqërime në komisariat.

Protesta u mbyll pas më shumë se 16 orësh aktivitetesh dhe marshimesh në Tiranë, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e tubimeve edhe në ditët në vijim.

Organizatorët e protestës kanë njoftuar zhvillimin e tubimit të 34-të radhazi, që do të mbahet këtë të premte në orën 19:00 në Tiranë, me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Sipas njoftimit, grumbullimi i protestuesve do të nisë në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas marshimi do të vijojë drejt godinës së Kryeministrisë, ku pritet të mbahen fjalime dhe të përsëriten kërkesat e protestës.

Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve nga i gjithë vendi, por edhe shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, t’i bashkohen protestës, duke theksuar se mobilizimi do të vijojë deri në arritjen e objektivit të shpallur.

“Dorëheqja e Edi Ramës është e panegociueshme”, deklarojnë organizatorët, ndërsa në thirrjen e tyre për pjesëmarrje përdorin edhe sloganin: “Ju erdhi fundi”.

Protestat kundër qeverisë kanë hyrë në javën e pestë, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se tubimet do të vazhdojnë çdo ditë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu