Kryeministri Edi Rama deklaroi se bonusi i ri për pensionistët nuk ka lidhje me zgjedhjet, por është rezultat i ecurisë pozitive të ekonomisë dhe rritjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit. Gjatë një bashkëbisedimi me pensionistët, ai theksoi se qeveria nuk ka zgjedhje deri në vitin 2029 dhe se mbështetja për këtë kategori do të vijojë sipas mundësive që krijon ekonomia.

Sipas Ramës, të ardhurat shtesë të krijuara nga rritja e çmimit të naftës dhe nga performanca më e mirë fiskale janë përdorur për financimin e bonusit të verës. Ai bëri të ditur se qeveria ka vendosur gjithashtu dyfishimin e mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara dhe për fëmijët me aftësi të veçanta, ndërsa shteti do të mbulojë sigurimet shoqërore e shëndetësore të kujdestarëve të tyre.

Kryeministri njoftoi edhe zgjerimin e garancisë sovrane për bizneset e vogla dhe të mesme në 50 milionë euro, fonde shtesë për startup-et e të rinjve, investime në transportin publik me autobusë elektrikë, si dhe financime për mbrojtjen nga përmbytjet, zjarret dhe për sistemin shëndetësor, përfshirë 15 milionë euro shtesë për barnat onkologjike.

Në fjalën e tij, Rama mbrojti edhe politikën e qeverisë për tërheqjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin e turizmit elitar, duke argumentuar se projektet e mëdha krijojnë efekte pozitive për ekonominë vendase dhe punësimin. Ai u ndal edhe te protestat, duke theksuar se e drejta për të protestuar është e pacenueshme, por shtoi se qeveria do të adresojë shqetësimet reale të qytetarëve duke vijuar reformat dhe procesin e integrimit europian.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu