Policia e Korçës ka zbardhur rrethanat e atentatit të ndodhur një ditë më parë në Pogradec, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 35-vjeçar. Si rezultat i hetimeve janë identifikuar katër autorët e dyshuar të ngjarjes, të gjithë me precedentë penalë për krime kundër personit.

Në pranga kanë rënë shtetasit N. A., 24 vjeç, banues në Buçimas, dhe D. P., 30 vjeç, banues në Pogradec. Ndërkohë, në kërkim janë shpallur M. B., 40 vjeç, banues në Pogradec, dhe E. A., 22 vjeç, banues në Buçimas.

Sipas hetimeve, katër të dyshuarit, për shkak të konflikteve të mëparshme me shtetasin B. S., 35 vjeç, kanë tentuar ta vrasin duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, ndërsa ndodhej në automjetin e parkuar në lagjen nr. 3 të Pogradecit.

Policia bën me dije se njëri prej autorëve kryesorë u lokalizua dhe u arrestua vetëm pak minuta pas ngjarjes, falë reagimit të menjëhershëm dhe ndjekjes së pandërprerë nga efektivët.

Gjatë veprimeve hetimore u sekuestruan tre automjete dhe gjashtë aparate celularë, të cilët do t’i shërbejnë hetimit.

35-vjeçari vijon të marrë trajtim mjekësor, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu