
Qeveria ka vendosur të akordojë një bonus vere me vlerë 5 mijë lekë për pensionistët dhe personat me status invaliditeti.
Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, njoftoi se mbi 777 mijë qytetarë do të përfitojnë nga kjo mbështetje financiare, ndërsa efekti në buxhet llogaritet rreth 3.7 miliardë lekë.
“Vendosëm të akordojmë një bonus për pensionistët, do të jetë bonusi i verës me vlerë 5 mijë lekë. Janë mbi 777 mijë pensionistë që do të përfitojnë nga ky bonus, si edhe persona me status invaliditeti. Efekti financiar i këtij bonusi është rreth 3.7 miliardë lekë. Do të vazhdojmë të kemi vëmendje të shtuar për të ardhurat e pensionistëve. Ky bonus jepet për herë të parë në mes të vitit dhe do të nisë të shpërndahet nga dita e nesërme. Bonusi i shtohet bonusit që pensionistët janë duke marrë që nga janari”, deklaroi Ibrahimaj.
Ministrja bëri të ditur gjithashtu se qeveria ka vendosur të rrisë masën e garancisë sovrane për bizneset në kuadër të programit “Dyfisho sipërmarrjen tënde”.
Sipas saj, programi u dedikohet të gjitha bizneseve në Republikën e Shqipërisë, ndërsa norma e interesit që do të aplikohet nga bankat do të jetë mesatarisht 2%.






