
Tre nga protestuesit e shoqëruar nga policia pas protestës së zhvilluar para Kuvendit janë liruar nga Komisariati nr. 1 në Tiranë.
Mes tyre ndodhet edhe aktivisti Dritan Goxhaj, i cili u prit me ovacione nga qytetarët e mbledhur jashtë komisariatit. Ndërkohë, pritet edhe lirimi i katër protestuesve të tjerë të shoqëruar.
Pas daljes nga komisariati, një prej protestuesve deklaroi se shoqërimi ishte bërë për kundërshtim të Policisë së Shtetit, por mohoi të ketë pasur përplasje me efektivët.
“Ne kemi qenë gardh mes policisë dhe protestuesve. Këto kemi deklaruar. Trajtimi ka qenë normal. Na kanë vizituar disa deputetë, Agron Shehaj dhe deputetët e PD-së”, u shpreh ai.
Protestuesit këmbëngulën se nuk kanë ushtruar dhunë ndaj policisë dhe e cilësuan shoqërimin e tyre të paligjshëm.






