
Policia e Tiranës ka saktësuar bilancin e aksidentit të rëndë të ndodhur rreth orës 15:00 në autostradën Durrës–Tiranë, në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia, duke korrigjuar informacionin e dhënë fillimisht.
Sipas njoftimit zyrtar, nga aksidenti ka humbur jetën vetëm drejtuesi i autobusit, shtetasi R. H., 36 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë.
Nga përplasja janë plagosur 12 pasagjerë të autobusit dhe jo 15, siç u raportua në informacionin paraprak. Prej tyre, 7 ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa 5 të tjerë kanë marrë dëmtime të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Policia sqaron se konfuzioni në raportimin fillestar u krijua për shkak të situatës së rëndë në vendngjarje dhe transportimit të të plagosurve në spitale të ndryshme.
Një fëmijë, i cili mbërriti në një spital privat pa shenja jete dhe u raportua fillimisht si viktimë, u rikthye në jetë falë ndërhyrjes së ekipit mjekësor me procedura reanimimi. Më pas ai u transportua në Spitalin Ushtarak, ku vijon të marrë trajtim në kujdes intensiv.
Ndërkohë, grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit dhe për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes.






