Një aksident tragjik në aksin Vorë–Fushë Krujë i mori jetën gazetarit 26-vjeçar Xhesjon Zogu, i cili mëngjesin e së mërkurës po udhëtonte drejt Tiranës për të shkuar në punë.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbi Urën e Gjolës. Sipas të dhënave të raportuara, një automjet tip “Benz”, që lëvizte nga Rinasi në drejtim të Fushë-Krujës, dyshohet se ka kryer një parakalim të gabuar dhe është përplasur kokë më kokë me automjetin “Land Rover” që drejtohej nga Xhesjon Zogu.

Përplasja ka qenë e fuqishme dhe të dy automjetet kanë pësuar dëmtime të mëdha.

26-vjeçari u transportua drejt spitalit, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë gjatë rrugës. Nga aksidenti mbeti i plagosur rëndë edhe drejtuesi i automjetit tjetër, i cili u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Pas tragjedisë është zbuluar edhe historia e dhimbshme familjare e gazetarit të ri.

Xhesjon Zogu ishte rritur pa të atin, i cili sipas BalkanWeb ishte vrarë rreth 20 vite më parë. Ai jetonte me nënën e tij, e cila vuan nga një sëmundje e rëndë kancerogjene, ndërsa vëllai i tij ndodhet i arrestuar.

Pavarësisht vështirësive familjare, 26-vjeçari kishte zgjedhur gazetarinë dhe kishte punuar në disa media online dhe televizione shqiptare.

Udhëtimi i tij nga fshati Shkretë i Krujës drejt Tiranës mëngjesin e 2 shtatorit ishte rruga e zakonshme për në punë, por këtë herë përfundoi tragjikisht në Urën e Gjolës.

Policia dhe grupi hetimor po vijojnë veprimet për të përcaktuar dinamikën dhe përgjegjësitë e aksidentit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu