
Protesta e 31-të kundër qeverisë u shoqërua me tone më të ashpra dhe incidente gjatë tubimit para Kryeministrisë.
Një nga organizatorët, Arben Kola, deklaroi se grupi koordinues nuk do të mbajë më përgjegjësi për veprimet e protestuesve, duke pretenduar se qytetarët kërkojnë përshkallëzimin e reagimit.
“Deri më sot populli ka protestuar në mënyrë paqësore. Ne nuk kemi qenë për dhunë, por prej sot populli duhet të protestojë në mënyrë të pavarur. Ne nuk mbajmë më përgjegjësi”, u shpreh ai gjatë fjalës së tij.
Gjatë protestës u regjistrua edhe një incident, kur një grua, e cila tha se ishte gazetare dhe edukatore shqiptare që jeton në Athinë, u përball me një pjesë të protestuesve pasi u etiketua si “patronazhiste”. Ajo u ndoq nga disa persona dhe një prej tyre i hodhi mbi kokë një shishe me lëng frutash, ndërsa situata u qetësua pas ndërhyrjes së disa pjesëmarrësve.
Në tubim u mbajt edhe një minutë heshtje për viktimën e aksidentit në autostradën Tiranë-Durrës. Aktivistja Luçiana Kokaj deklaroi se, sipas saj, Policia ishte e angazhuar me protestuesit dhe jo me detyrat e saj prioritare.
Mjeku Ilir Allkja kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për mosmbajtjen e premtimeve në shëndetësi, ujësjellës, arsim dhe fusha të tjera.
Ndërkohë, protestuesit nisën mbledhjen e firmave për të depozituar në SPAK librin “Albania Files”, të cilin e konsiderojnë provë për të kërkuar hetime mbi projektet e zhvillimit urban. Pas fjalimeve, marshimi vijoi në rrugët e Tiranës dhe kaloi edhe para selisë së Partisë Demokratike, ku u dëgjuan thirrje kundër opozitës. Sipas raportimeve nga protesta, pjesëmarrja në marshimin e mbrëmjes ishte më e ulët krahasuar me ditët e mëparshme.






