
Qeni që u pa duke u tërhequr zvarrë pas një automjeti në Kavajë ka shpëtuar dhe ndodhet nën kujdes veterinar, falë ndërhyrjes së menjëhershme të qytetarëve që ndaluan ngjarjen para se ajo të përfundonte në tragjedi.
Sipas një përditësimi nga aktivistët për mbrojtjen e kafshëve, disa persona ndërhynë menjëherë, morën qenin dhe e dërguan në klinikë për trajtim. Gjendja e tij raportohet stabile, ndërsa po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor.
Aktivistët falënderuan qytetarët që reaguan dhe dhanë dëshmitë e tyre pranë autoriteteve, duke kërkuar që Policia dhe Prokuroria të hetojnë rastin dhe përgjegjësit të përballen me pasojat ligjore.
Një falënderim i veçantë iu drejtua edhe vullnetares që mori në kujdes kafshën dhe siguroi transportimin e saj në klinikë. Ndërkohë, është bërë thirrje për mbështetje, strehim ose adoptim, me qëllim që qeni të ketë një jetë të sigurt dhe dinjitoze pas traumës së përjetuar.






