
Kryeministri Edi Rama reagoi mbrëmjen e së enjtes, ndërsa përpara Kryeministrisë po zhvillohej protesta e 54-t radhazi e opozitës, duke publikuar një video nga zyra e tij në godinën e qeverisë.
Në videon e postuar në rrjetet sociale dëgjohen protestuesit që thërrasin në kor “Rama jepe dorëheqjen”, ndërsa kreu i qeverisë shfaqet duke punuar për fjalimin që do të mbajë në mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar.
Rama ironizoi thirrjet e protestuesve, duke u shprehur se ato e “ekzaltojnë” dhe ftoi qytetarët të ndjekin fjalimin e tij të premten.
“Jam duke shkruar fjalën për nesër në mbledhjen e grupit parlamentar dhe të qeverisë. Ky kor ‘Rama jepe dorëheqjen’ më ekzalton. Shihemi nesër paradite për të ndarë reflektimin tim mbi pasqyrën e bulevardit të flamingove”, tha kryeministri.
Mbledhja e Grupit Parlamentar të PS-së dhe kabinetit qeveritar do të zhvillohet në orën 09:30 në Pallatin e Brigadave. Në fokus pritet të jenë bilanci i punës së Kuvendit, analiza e veprimtarisë së deputetëve socialistë, si edhe mesazhet politike të kryeministrit në përfundim të sesionit parlamentar. Prej ditësh, në qarqet politike flitet edhe për mundësinë e ndryshimeve në qeveri.






