Legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhet gjatë javës së parë të muajit gusht, ndërsa data zyrtare e seancës konstituive do të shpallet këtë të premte nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

Haxhiu deklaroi se caktimi i datës është shtyrë për t’u dhënë më shumë kohë partive politike që të vijojnë negociatat për arritjen e një marrëveshjeje, veçanërisht lidhur me zgjedhjen e presidentit dhe krijimin e institucioneve të reja. Ajo i cilësoi pozitive edhe takimet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me partitë opozitare, ndonëse bisedimet me LDK-në janë pezulluar për shkak të zhvillimeve të brendshme në këtë forcë politike.

Profesori universitar Mazllum Baraliu u bëri thirrje aktorëve politikë të intensifikojnë dialogun dhe të shmangin thellimin e krizës, duke paralajmëruar se zgjedhjet e reja do të kishin kosto të lartë politike për të gjitha partitë.

Edhe analistja politike Fatime Hajdari vlerësoi se kriza e brendshme në LDK mund ta vështirësojë arritjen e një kompromisi, ndërsa theksoi se Kosova nuk ka më kohë për zvarritje, pasi mungesa e institucioneve funksionale po ndikon negativisht në reformat dhe procesin e integrimit euroatlantik.

Vëmendja mbetet te negociatat e ditëve në vijim, të cilat pritet të përcaktojnë nëse partitë do të arrijnë një marrëveshje për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu