
Një valë mesazhesh mashtruese po u dërgohet qytetarëve në emër të Raiffeisen Bank, me qëllim vjedhjen e të dhënave bankare përmes një faqeje të rreme.
Në mesazhin që po qarkullon, përdoruesve u kërkohet të “përditësojnë informacionin” për të shmangur pezullimin e shërbimeve, duke i orientuar drejt një adrese interneti që nuk i përket faqes zyrtare të bankës.

Ekspertët e sigurisë kibernetike paralajmërojnë se bëhet fjalë për një skemë “phishing”, ku mashtruesit përpiqen të marrin të dhënat e kartave bankare, kredencialet e hyrjes ose informacione të tjera personale.
Qytetarëve u rekomandohet të mos klikojnë mbi lidhje të dyshimta, të mos japin të dhëna bankare përmes SMS-ve apo faqeve të panjohura dhe të verifikojnë çdo njoftim vetëm përmes kanaleve zyrtare të bankës. Në rast se një person ka plotësuar të dhënat në një faqe të tillë, këshillohet të kontaktojë menjëherë bankën për bllokimin e kartës ose llogarisë dhe të ndryshojë fjalëkalimet.






