Banka Qendrore Evropiane ka prezantuar 10 modelet finaliste për serinë e re të kartëmonedhave euro, duke hapur për herë të parë një konsultim publik ku qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin pamjen e tyre.

Procesi i konsultimit do të qëndrojë i hapur deri më 21 shtator dhe do të përfshijë opinionet e qytetarëve, ekspertëve dhe Këshillit Drejtues të BQE-së. Bëhet fjalë për ridizenjimin e parë të plotë të kartëmonedhave euro që nga futja e monedhës së përbashkët në vitin 2002.

Modelet finaliste ndahen në dy tema. E para, “Kultura Evropiane”, i kushton çdo prerje një figure të njohur historike. Në projektet e propozuara shfaqen emra si Maria Callas në kartëmonedhën 5 euro, Ludwig van Beethoven në 10 euro, Marie Curie në 20 euro, Miguel de Cervantes në 50 euro, Leonardo da Vinci në 100 euro dhe fituesja e Çmimit Nobel për Paqen, Bertha von Suttner, në prerjen 200 euro.

Tema e dytë, “Lumenjtë dhe Zogjtë”, paraqet ekosistemet natyrore evropiane, ku çdo kartëmonedhë ilustron një lumë dhe një specie shpendësh, ndërsa në anën tjetër shfaqen institucionet kryesore të Bashkimit Evropian, si Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Gjykata e Drejtësisë.

Pas përfundimit të konsultimit publik, BQE do të përzgjedhë dizajnin fitues, ndërsa kartëmonedhat e reja pritet të hidhen në qarkullim në vitet e ardhshme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu