Anglia e ka nisur me fitore aventurën në Botërorin 2026, duke mposhtur Kroacinë me rezultatin 4-2 në një ndeshje që ka ngjallur entuziazëm mes tifozëve dhe analistëve.

Skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel shfaqi një futboll ofensiv dhe spektakolar, krejt ndryshe nga imazhi më konservator që kishte krijuar në turnetë e fundit. Kapiteni Harry Kane udhëhoqi ekipin me dy gola, duke barazuar rekordin e Gary Lineker me 10 gola në fazat finale të Kupës së Botës.

Pas një pjese të parë të vështirë, ku Kroacia arriti të barazonte dy herë, Anglia reagoi menjëherë në pjesën e dytë. Jude Bellingham riktheu avantazhin me një aksion individual të shkëlqyer, ndërsa Marcus Rashford vulosi suksesin në minutat e fundit.

Analistët britanikë vlerësuan veçanërisht qasjen e trajnerit Thomas Tuchel, i cili zgjodhi të sulmonte edhe kur skuadra ishte në avantazh. Ndryshimet e tij në pjesën e dytë, me aktivizimin e Marcus Rashford, Bukayo Saka dhe Morgan Rogers, i dhanë më shumë energji dhe ritëm ekipit.

Megjithatë, mbrojtja mbetet pika më e dobët e anglezëve. Kroacia krijoi disa raste të rrezikshme dhe shfrytëzoi gabimet në repartin defensiv, çka ka ngritur pikëpyetje për ndeshjet e ardhshme ndaj kundërshtarëve më të fortë.

Pavarësisht problemeve në mbrojtje, fitorja 4-2 ka rritur optimizmin në kampin anglez. Sipas BBC-së, tifozët u larguan nga stadiumi në Dallas me një ndjesi që nuk e kishin provuar prej vitesh: Anglia jo vetëm fitoi, por edhe argëtoi.

Në ndeshjen e radhës, “Tre Luanët” do të përballen me Ganën, ndërsa synimi i Tuchel mbetet i qartë: fitimi i yllit të dytë në fanellën e Anglisë, 60 vjet pas triumfit të vetëm në Kupën e Botës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu