Kryeministri Edi Rama u ka bërë një ftesë publike protestuesve dhe kundërshtarëve të projektit në Zvërnec, duke i ftuar në një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë për të diskutuar mbi shqetësimet që kanë ngritur lidhur me investimin.

Përmes një postimi në rrjetet sociale shoqëruar me videon me sharje, Rama iu drejtua veçanërisht të rinjve që kanë marrë pjesë në protestat e fundit, duke thënë se i vlerëson ata dhe se është i gatshëm të dëgjojë çdo argument lidhur me projektin.

“Deri atëherë, mua këtu më keni, gjithmonë gati për t’ju dëgjuar, nëse doni të flasim për Zvërnecin, për arrogancën, për dhunën, për mosinformimin, për transparencën, për pronat, për investimet e huaja, për natyrën, flamingot, shqiponjat, apo për çdo çështje tjetër me interes publik”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë propozoi që takimi të zhvillohet publikisht dhe me një përfaqësi jo më të madhe se 20 persona.

“Mblidhuni, jo më shumë se 20 vetë dhe bujrum, ulemi në një bashkëbisedim publik, ku të doni dhe kur të doni”, deklaroi ai.

Rama ironizoi gjithashtu sloganet dhe akuzat e ngritura gjatë protestave, duke shtuar se çështjet me interes publik janë të mirëpritura për debat, ndërsa aspektet që lidhen me familjen e tij duhet të mbeten jashtë përplasjes politike.

Në fund të reagimit, kryeministri theksoi se nëse protesta nuk pranon dialogun, secila palë do të vazhdojë rrugën e vet.

“Ju në kor me robt e shtëpisë time, unë në krye të punëve të Shqipërisë, me votën e shqiptarëve, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, përfundoi Rama.

Postimi vjen në kulmin e debatit publik për projektin turistik në Zvërnec dhe Sazan, i cili ka nxitur protesta dhe përplasje politike gjatë ditëve të fundit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu