
Paris Saint-Germain është shpallur kampion i Europës për të dytin vit radhazi, pasi mposhti Arsenalin me penallti në finalen dramatike të UEFA Champions League të zhvilluar në “Puskás Arena” të Budapestit.
Përballja nisi në mënyrën më të mirë për londinezët. Pas një gabimi në mbrojtjen e PSG-së, Kai Havertz përfitoi dhe kaloi Arsenalin në avantazh që në minutat e para të takimit.
Goli i hershëm i detyroi francezët të kërkonin me ngulm barazimin, por Arsenal u mbrojt me disiplinë dhe arriti të neutralizonte sulmet e ekipit të Luis Enrique gjatë pjesës së parë.
PSG reagoi pas pushimit. Ousmane Dembélé riktheu baraspeshën nga pika e bardhë e penalltisë pasi Khvicha Kvaratskhelia u ndal në mënyrë të parregullt në zonë.
Pas golit të barazimit, francezët dominuan pjesën më të madhe të lojës dhe iu afruan golit të fitores, por traversa dhe pritjet e portierit të Arsenalit mbajtën rezultatin 1-1 deri në fund të kohës së rregullt.
Edhe 30 minutat e shtesës nuk prodhuan fitues. PSG krijoi më shumë raste, ndërsa Arsenal protestoi për një penallti të padhënë ndaj Noni Madueke, vendim që shkaktoi polemika të shumta në fundin e takimit.
Fati i trofeut u vendos nga pika e bardhë, ku PSG u tregua më i saktë dhe triumfoi në serinë e penalltive, duke ngritur për herë të dytë radhazi trofeun më të rëndësishëm të futbollit europian për klube.
Për parisienët, ky është një tjetër sukses historik pas triumfit të sezonit të kaluar ndaj Interit, ndërsa për Arsenalin mbetet zhgënjimi i dytë në një finale të Champions League pas humbjes ndaj Barcelonës në vitin 2006.
Me këtë sukses, PSG konfirmon dominimin e tij në futbollin europian dhe hyn zyrtarisht në elitën e klubeve që kanë arritur të mbrojnë titullin e Champions League.






