Biznesmeni shqiptar Samir Mane ka shënuar një tjetër rekord në listën prestigjioze të miliarderëve të revistës Forbes, duke rritur pasurinë e tij me 500 milionë dollarë brenda një viti.

Sipas renditjes së Forbes për vitin 2026, Mane zotëron një pasuri prej 1.9 miliardë dollarësh, duke u renditur në vendin e 2.177-të mes 3.428 miliarderëve të botës.

Një vit më parë, pasuria e tij vlerësohej në 1.4 miliardë dollarë, ndërsa pozicionohej në vendin e 2.356-të të listës globale.

Forbes e përshkruan Samir Manen si themeluesin dhe presidentin e BALFIN Group, një nga grupet më të mëdha të investimeve në Ballkan, me qendër në Tiranë.

Sipas revistës amerikane, BALFIN zotëron qendra tregtare, rrjete dyqanesh elektronike dhe lodrash në Ballkanin Perëndimor, si dhe investime në sektorin bankar dhe në pasuri të paluajtshme luksoze në Shqipëri.

Forbes kujton se Mane u largua nga Shqipëria në vitin 1991 dhe u vendos në Austri si refugjat. Dy vite më vonë ai nisi aktivitetin tregtar me shitjen e pajisjeve elektroshtëpiake në Shqipëri.

Në vitin 1998 ai themeloi rrjetin e njohur të elektronikës Neptun, ndërsa në vitin 2005 hapi qendrën e parë moderne tregtare në vend.

Përveç investimeve në Shqipëri, BALFIN Group zotëron pasuri të paluajtshme në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Austri, si dhe operon në sektorin e logjistikës, arsimit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme.

Rritja e pasurisë së Samir Manes vjen në një vit kur numri i miliarderëve në botë është rritur ndjeshëm, me Forbes që regjistron 3.428 miliarderë, krahasuar me 2.933 një vit më parë.

Me pasurinë prej 1.9 miliardë dollarësh, Mane mbetet shqiptari më i pasur i renditur në listën e Forbes dhe një nga biznesmenët më të suksesshëm të Europës Juglindore.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu