
Mjeku pneumolog Ardian Jorgji ka ngritur alarmin për shtimin e rasteve me probleme të rrugëve të frymëmarrjes, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos neglizhojnë shenjat paralajmëruese që mund të tregojnë përkeqësim të gjendjes së mushkërive.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Jorgji u ndal te një simptomë që sipas tij shpesh anashkalohet nga pacientët: fishkëllima në gjoks gjatë frymëmarrjes.
Sipas mjekut, kur infeksioni apo inflamacioni prek rrugët e poshtme të frymëmarrjes, organizmi jep sinjale të qarta paralajmëruese, të cilat zakonisht shfaqen gjatë natës.
“Alarmi i parë është kolla e thatë dhe e mundimshme që zgjat nga mbrëmja deri në mëngjes”, shpjegoi ai.
Jorgji tha se fishkëllima në gjoks është një shenjë që kërkon vëmendje të menjëhershme, pasi tregon ngushtim të bronkeve si pasojë e inflamacionit.
“Gjyshet tona dikur thonin ‘këndon gjoksi’. Kur shfaqet kjo fishkëllimë duhet të bëhemi jashtëzakonisht vigjilentë, sepse kjo do të thotë se është prekur e tërë mushkëria. Fishkëllima tregon ngushtim të bronkeve, më pak oksigjen në trup dhe vështirësi të mëdha në frymëmarrje”, deklaroi pneumologu.
Ai paralajmëroi se një nga komplikacionet më serioze të këtyre problemeve mbetet astma, veçanërisht kur nuk diagnostikohet apo trajtohet në kohë.
“Astma nuk është një sëmundje e thjeshtë. Kur del nga kontrolli, nuk vihet kollaj në vijë. Nëse nuk tregohet kujdes i menjëhershëm, kjo sëmundje mund të marrë edhe jetën”, theksoi Jorgji.
Mjeku u bëri thirrje qytetarëve të mos mbështeten vetëm te mjekimet popullore apo qetësuesit, por të kërkojnë këshillë mjekësore sapo të shfaqin simptoma të tilla, për të shmangur komplikacionet që mund të rrezikojnë seriozisht shëndetin.




