Kompania “Zvërnec South Adriatic Development” ka reaguar pas protestave dhe debatit publik të ditëve të fundit për projektin turistik që pritet të zhvillohet në zonën e Zvërnecit.

Në një deklaratë të gjatë për mediat, kompania thekson se investimi parashikohet të kalojë vlerën e 4 miliardë eurove dhe se do të krijojë mbi 10 mijë vende të reja pune, duke e cilësuar projektin si një nga sipërmarrjet më të mëdha turistike në Mesdhe.

Sipas kompanisë, projekti po zhvillohet në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar dhe me të gjitha autorizimet e nevojshme institucionale.

“Trualli në të cilin do të zhvillohet projekti është pronësi private metër për metër dhe kompania e ka blerë nga pronarët e ligjshëm, me certifikata pronësie të noterizuara. Të gjitha transfertat janë kryer përmes sistemit bankar dhe janë lehtësisht të verifikueshme”, thuhet në reagim.

Kompania pretendon se investimi do të ndikojë ndjeshëm në ekonominë shqiptare, duke kontribuar me 3 deri në 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë pesë viteve të ardhshme.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se investitorët kanë angazhuar ekspertë ndërkombëtarë për studimet mjedisore dhe biodiversitetin e zonës, ndërsa rezultatet do të bëhen publike sapo të përfundojnë.

“Investimi do të kujdeset tërësisht për ruajtjen e mjedisit dhe biodiversitetit. Prej dy vitesh janë angazhuar ekspertë të njohur në nivel global për studimet përkatëse”, deklaron kompania.

“Zvërnec South Adriatic Development” njofton se projekti po hartohet nga studio ndërkombëtare të arkitekturës dhe planifikimit urban, ndërsa janë nënshkruar marrëveshje edhe me marka të njohura globale të hotelerisë dhe shërbimeve turistike.

Reagimi vjen pas protestave të zhvilluara në zonën e Pishë Poro-Nartës, ku aktivistë mjedisorë, banorë dhe përfaqësues politikë kundërshtuan rrethimin e territorit dhe projektin e planifikuar turistik.

Kompania dënoi incidentet e dhunshme të regjistruara gjatë protestës dhe hodhi poshtë akuzat për shkelje ligjore.

“Dënojmë me forcë çdo akt dhune ndaj pronës private dhe hedhim poshtë çdo përpjekje që synon dezinformimin e publikut”, thuhet në deklaratë.

Në fund të reagimit, kompania shprehet e bindur se projekti do ta kthejë Vlorën në një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në Mesdhe dhe premton transparencë të plotë për publikimin e projektit përfundimtar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu