
Gjatë mbledhjes në selinë blu, Berisha theksoi se procesi që do të finalizohet në Kuvendin Kombëtar synon ripërtëritjen dhe modernizimin e Partisë Demokratike, me fokus forcimin e strukturave në terren dhe përfshirjen më të madhe të bazës në vendimmarrje.
Sipas tij, organizimi do të jetë elementi kyç i reformimit të partisë.
“Partia Demokratike në rrafshin organizativ do të jetë partia e seksionit”, deklaroi Berisha.
Kryedemokrati tha se ndryshimet statutore, përzgjedhja e kandidaturave për Këshillin Kombëtar dhe grupi drejtues i Kuvendit do të jenë ndër vendimet më të rëndësishme të kësaj faze politike për PD-në.
Berisha e cilësoi transformimin si të domosdoshëm për realizimin e “misionit historik” të demokratëve.
“Misioni historik i Partisë Demokratike është rikthimi i votës së lirë qytetarëve shqiptarë dhe rikthimi i Partisë Demokratike në pushtet”, u shpreh ai.
Sipas Berishës, procesi i reformimit të partisë do të mbështetet te demokracia e brendshme, konsultimi me anëtarësinë dhe anëtarësimet e reja.
Ai nënvizoi se PD synon të mobilizojë çdo potencial politik dhe organizativ për t’u përgatitur për betejat e ardhshme politike.
Mbledhja e Kryesisë vjen në prag të Kuvendit Kombëtar, ku pritet të formalizohen ndryshimet statutore dhe drejtimet e reja organizative të Partisë Demokratike.






