
Dy kongresmenët amerikanë, Keith Self dhe Suhas Subramanyam, do të zhvillojnë sot takime të rëndësishme me përfaqësues të Lëvizjes Studentore shqiptare dhe liderë të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, mes shqetësimeve për, sipas organizatorëve, cenimin e të drejtave të shqiptarëve dhe frymës së Marrëveshjes së Ohrit.
Takimi i parë pritet të mbahet në orën 17:30 në Prishtinë, ku kongresmenët amerikanë do të dëgjojnë nga afër kërkesat e studentëve shqiptarë që kanë organizuar protestat për mbrojtjen e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.
Në takim do të marrë pjesë edhe Mevlan Ademi, së bashku me përfaqësues të Lëvizjes Studentore.
Sipas organizatorëve, studentët do të paraqesin shqetësimet e tyre për moszbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe për atë që e konsiderojnë si tendencë për kthim pas të të drejtave të fituara me Marrëveshjen e Ohrit.
Më vonë, në orën 20:30, Keith Self dhe Suhas Subramanyam pritet të zhvillojnë takim edhe me liderët e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Në takim do të marrin pjesë Ali Ahmeti, Arben Taravari dhe Zijadin Sela.
Sipas burimeve, në fokus të diskutimeve do të jenë zhvillimet politike në vend, pozicioni i shqiptarëve dhe shqetësimet për cenimin e parimeve të barazisë dhe bashkëjetesës të garantuara nga Marrëveshja e Ohrit.
Vizita e kongresmenëve amerikanë në rajon ka nisur me ndalesë në Preshevë, ku ata zhvilluan takime me përfaqësues shqiptarë të Luginës, ndërsa më pas janë pritur edhe nga krerët më të lartë të institucioneve në Kosovë.
Keith Self dhe Suhas Subramanyam konsiderohen ndër kongresmenët amerikanë që kanë mbështetur vazhdimisht çështjet shqiptare në rajon, përfshirë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, si edhe mbështetjen për Kosovën në organizatat ndërkombëtare.






