Një aksident tragjik ka ndodhur mëngjesin e së martës në Belgjikë, ku një tren pasagjerësh përplasi një furgon që transportonte nxënës pranë qytetit Buggenhout, në rajonin e Flandrës Lindore.

Sipas mediave belge, katër persona kanë humbur jetën, mes tyre dy të mitur dhe dy të rriturit që ndodheshin në mjet.

Nga përplasja kanë mbetur të plagosur edhe pesë persona të tjerë, të gjithë pasagjerë të furgonit. Njëri prej tyre u rikthye në jetë pas reanimimit, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje shumë të rëndë.

Aksidenti ndodhi rreth orës 08:15 në një kalim hekurudhor pak kilometra në veri të Brukselit.

Sipas hetimeve paraprake, në momentin e aksidentit semafori për automjetin ishte i kuq dhe barriera ishte e ulur.

Shoqëria belge e hekurudhave “Infrabel” deklaroi se drejtuesi i trenit aktivizoi frenimin emergjent, por nuk arriti të shmangte përplasjen.

Furgoni po transportonte nxënës drejt një shkolle për fëmijë me nevoja të veçanta, institucion i dedikuar për të rinjtë me aftësi të kufizuara fizike apo mendore, çrregullime zhvillimi dhe probleme të të nxënit.

“Është një goditje shumë e rëndë me pasoja tragjike”, deklaroi zëdhënësi i Infrabel, Thomas Baeken.

Një prej pasagjerëve të trenit tregoi se dëgjoi një shpërthim të fortë dhe pa xhamat e trenit të thyheshin nga impakti.

“Një person u hodh jashtë furgonit, ndoshta shoferi”, deklaroi dëshmitari për mediat belge.

Në vendin e ngjarjes ndodhen dhjetëra ambulanca dhe forca policie, ndërsa autoritetet po hetojnë shkaqet e plota të tragjedisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu