Vala ekstreme e të nxehtit që ka përfshirë Europën ka shkaktuar të paktën shtatë viktima në Francë, ndërsa Britania e Madhe po përballet me temperaturat më të larta të regjistruara ndonjëherë për muajin maj.

Zëdhënësja e qeverisë franceze, Maud Bregeon, deklaroi se shtatë persona kanë humbur jetën “drejtpërdrejt ose tërthorazi” si pasojë e temperaturave të larta.

Sipas autoriteteve franceze, disa prej viktimave janë mbytur gjatë notit, ndërsa dy persona kanë ndërruar jetë teksa merreshin me aktivitet sportiv në Paris dhe zonën e Lionit.

Franca po përjeton temperatura rekord për muajin maj, me termometrin që ka kaluar 30 gradë në shumë rajone të vendit.

Shërbimi meteorologjik “Météo-France” paralajmëroi se temperaturat do të arrijnë nga 33 deri në 36 gradë në zonat e vendosura në alarm portokalli për “canicule”, termi që përdoret në Francë për valët ekstreme të të nxehtit.

Në alarm janë vendosur tetë departamente franceze, ndërsa temperaturat e larta kanë prekur edhe Parisin gjatë ditëve të turneut “Roland Garros”.

Ndërkohë, edhe Britania e Madhe po përballet me një valë të pazakontë të nxehti për stinën.

Në Londër u regjistruan 34.8 gradë Celsius në zonën e Kew Gardens, temperatura më e lartë e matur ndonjëherë në muajin maj në kryeqytetin britanik.

Sipas “Met Office”, temperaturat mund të arrijnë deri në 35 gradë, ndërsa nata e fundit u cilësua si “tropikale”.

Autoritetet britanike kanë aktivizuar alarme shëndetësore për shkak të ndikimit të të nxehtit te personat mbi 65 vjeç dhe pacientët me sëmundje kronike.

Për shkak të temperaturave ekstreme, kompania hekurudhore “South Western Rail” anuloi disa linja mes Londrës dhe jugperëndimit të Anglisë.

Meteorologët raportojnë se jugu i Anglisë ka regjistruar temperatura më të larta se qytete si Lagos, Kajro, Damasku dhe Hanoi, me vlera deri në 14 gradë mbi mesataren normale të fund-majit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu