Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka votuar për veten në procesin për zgjedhjen e kreut të PD-së, ku ai garon pa kundërshtarë.

Pas votimit, Berisha e cilësoi procesin si “shembullor”, ndërsa u bëri thirrje demokratëve të marrin pjesë në votim.

“Përshëndes të gjithë demokratët që kanë votuar deri tani në gjithë Shqipërinë në një proces shembullor. Në mënyrën më demokratike, ata shprehin besimin ose vullnetin e tyre për kryetarin apo kundër tij”, deklaroi Berisha.

Ai tha se votimi përbën një “detyrim të rëndësishëm statutor” për anëtarët e Partisë Demokratike.

Por gjatë deklaratës për mediat, Berisha sulmoi ashpër ish-deputetin Ervin Salianji, pasi ky i fundit publikoi fletë votimi ku disa demokratë kishin shkruar emrin e tij.

Lideri demokrat e quajti Salianjin “përfaqësues të botës së krimit”, duke deklaruar se persona të tillë nuk do të kenë vend në PD.

“Përpëlitjet e një përfaqësuesi të botës së krimit nuk mund të përlyejnë këtë proces demokratik. Përfaqësuesit e botës së krimit nuk do kenë vend kurrë në këtë parti”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se ndarja e PD-së me krimin është “ndarje me jetë a vdekje”.

Deklaratat e Berishës vijnë në një moment tensioni të brendshëm në Partinë Demokratike, ndërsa procesi i zgjedhjes së kreut të partisë po zhvillohet pa rivalë për ish-kryeministrin.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu