
Të paktën 87 aktivistë të flotiljes humanitare për Gazën kanë nisur grevë urie pasi u ndaluan nga forcat izraelite gjatë përpjekjes për të çarë bllokadën ndaj Rripit të Gazës.
Sipas organizatorëve të “Global Sumud Flotilla”, greva po zhvillohet “në shenjë proteste ndaj rrëmbimit të paligjshëm” të aktivistëve dhe në solidaritet me mijëra palestinezë të burgosur në Izrael.
Forcat izraelite interceptuan anijen e fundit të mbetur, “Lina al-Nabulsi”, në ujërat ndërkombëtare, ndërsa organizatorët pretendojnë se pjesëmarrësit u “rrëmbyen” gjatë operacionit.
Flotilja, e përbërë nga më shumë se 50 mjete lundruese, ishte nisur javën e kaluar nga qyteti turk Marmara me synimin për të dërguar ndihma humanitare në Gaza dhe për të sfiduar bllokadën izraelite.
Ministria e Jashtme e Izraelit konfirmoi se qindra aktivistë janë transferuar në territorin izraelit, duke e cilësuar misionin si “një shfaqje propagandistike”.
Organizatorët akuzojnë forcat izraelite se gjatë ndërhyrjes kanë përdorur plumba gome dhe kanë bastisur anijet në det të hapur pranë brigjeve të Qipros.
Mes të ndaluarve ndodhen edhe shtetas nga Indonezia, Irlanda dhe vende të tjera. Disa shtete, përfshirë Turqinë, Spanjën, Jordaninë, Pakistanin dhe Brazilin, e dënuan operacionin izraelit si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të ligjit humanitar.
Ndërkohë, SHBA vendosi sanksione ndaj katër aktivistëve të lidhur me flotiljen, duke pretenduar se organizatorët vepronin në mbështetje të Hamasit.






