Qytetarë dhe aktivistë u mblodhën këtë të diel për të tetën ditë radhazi në protestën kundër projektit turistik në Zvërnec, duke marshuar nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë me thirrjet “Dorëheqje”, “Rama në burg” dhe “Berisha në burg”.

Megjithëse protesta nisi si reagim ndaj ndërtimit të resortit në Zvërnec, në tubim u artikuluan edhe shqetësime të tjera që lidhen me emigrimin, drejtësinë, arsimin, shëndetësinë dhe çështjen e pronave.

Një nga momentet simbolike të protestës ishte vendosja e një gomoneje para Kryeministrisë. Protestuesit e lidhën atë me fenomenin e emigrimit, duke theksuar se largimi i shqiptarëve nga vendi mbetet një plagë e hapur.

Në podium folën emigrantë të ardhur nga SHBA, Italia dhe vende të tjera. Një emigrant nga Amerika kërkoi dorëheqjen e Edi Ramës dhe Sali Berishës, duke i cilësuar si përgjegjës për largimin masiv të të rinjve nga Shqipëria.

Një protestuese deklaroi se diaspora nuk do të vijë më vetëm për pushime, por edhe për të protestuar. Ndërsa një emigrante nga Shkodra, që jeton prej 34 vitesh jashtë vendit, u bëri thirrje të rinjve të mos e braktisin Shqipërinë.

Protestuesit kërkuan gjithashtu hetim nga SPAK për projektin në Zvërnec dhe reagim nga partnerët ndërkombëtarë. Në fjalimet e mbajtura para Kryeministrisë, investimi u cilësua nga kundërshtarët e tij si një projekt që favorizon oligarkët dhe dëmton interesin publik.

Në përfundim të protestës u ritheksuan pesë kërkesat kryesore të lëvizjes: dorëheqja e qeverisë, shfuqizimi i statusit të investitorit strategjik, anulimi i Paketës së Maleve, anulimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe shfuqizimi i ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.

Paralelisht me tubimin në Tiranë, protesta kundër projektit në Zvërnec u zhvilluan edhe në Shkodër dhe Pogradec.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu