Tre persona kanë humbur jetën pas një sulmi me armë në Qendrën Islamike të San Diegos në San Diego, ndërsa autoritetet amerikane po e trajtojnë ngjarjen si krim urrejtjeje. Sipas policisë, mes viktimave është edhe një roje sigurie, i cili konsiderohet hero pasi ndihmoi në minimizimin e numrit të viktimave.

Dy autorët e dyshuar, të moshave 17 dhe 19 vjeç, u gjetën të pajetë brenda një automjeti pranë xhamisë, me plagë të vetëshkaktuara nga arma e zjarrit. Policia deklaroi se nuk pati shkëmbim zjarri me efektivët.

Ngjarja ndodhi në zonën Clairemont të San Diegos, ku ndodhet xhamia më e madhe e qarkut. Në momentin e sulmit, në ambientet e qendrës islamike ndodheshin edhe fëmijë që ndiqnin mësime fetare dhe të gjuhës arabe. Pamjet ajrore treguan nxënës të evakuuar nën masa të forta sigurie, ndërsa shkollat pranë zonës u vendosën në “lockdown”.

Shefi i Policisë së San Diegos, Scott Wahl, deklaroi se autoritetet kishin marrë fillimisht një telefonatë nga nëna e njërit prej autorëve, e cila raportoi se djali i saj ishte larguar nga shtëpia me armë dhe me automjetin e familjes. Sipas tij, të dy të rinjtë ishin veshur me uniforma kamuflazhi.

“Ka pasur qartësisht retorikë urrejtjeje në këtë sulm”, deklaroi Wahl gjatë konferencës për shtyp, ndërsa Federal Bureau of Investigation konfirmoi se po heton incidentin si akt islamofobik.

Edhe kryetari i bashkisë së San Diegos, Todd Gloria, reagoi ashpër ndaj sulmit. “Urrejtja nuk ka vend në San Diego. Islamofobia nuk ka vend këtu”, tha ai, duke njoftuar shtim të masave të sigurisë në të gjitha objektet fetare të qytetit.

Sulmi ndodhi vetëm pak ditë përpara festës së Kurban Bajramit, një nga periudhat më të rëndësishme për besimtarët myslimanë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu