
Kombëtarja shqiptare ka zyrtarizuar miqësoren e parë për muajin qershor, ku do të përballet me Izraelin në stadiumin “Air Albania”.
Sfida do të zhvillohet më 3 qershor, në orën 20:00 dhe do të shërbejë si një test i rëndësishëm për kuqezinjtë në prag të angazhimeve të ardhshme.
Kjo do të jetë përballja e shtatë në histori mes dy ekipeve kombëtare dhe e para në formë miqësore, pasi gjashtë ndeshjet e mëparshme janë luajtur në kuadër të eliminatoreve të Kampionateve Botërore dhe Europiane.
Bilanci mes dy skuadrave favorizon Izraelin, me Shqipërinë që ka arritur të fitojë dy herë, ndërsa është mposhtur në katër raste.
Ndërkohë, kuqezinjtë do të zhvillojnë edhe një tjetër ndeshje miqësore më 6 qershor, po në orën 20:00, ku do të përballen me Luksemburgun, sërish në stadiumin “Air Albania”.






