
Një ngjarje e rëndë është raportuar në Gostivar, ku një 29-vjeçar është arrestuar nën dyshimin për përdhunimin e një të miture dhe publikimin e përmbajtjeve eksplicite në rrjetet sociale.
Sipas Policisë së Maqedonisë së Veriut, i dyshuari me inicialet T.B., banues në fshatin Zdunjë, është ndaluar pas një kallëzimi të bërë nga familjarët e viktimës. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur disa muaj më parë, kur autori ka ndaluar të miturën me automjet dhe, nën kërcënim dhe përdorim force, ka kryer abuzimin.
Autoritetet bëjnë të ditur se më pas në rrjetet sociale janë publikuar materiale eksplicite që lidhen me rastin, duke rënduar akuzat ndaj të dyshuarit.
Gjatë operacionit policor janë kryer kontrolle në banesat ku ai qëndronte, ku janë sekuestruar pajisje elektronike si laptop, telefon celular dhe USB, të cilat pritet të shërbejnë si prova në hetim.
I dyshuari ndodhet në stacion policor, ndërsa procedurat hetimore vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.






