
Një alarm për sigurinë ushqimore është ngritur në Shqipëri pas identifikimit të një produkti me përmbajtje salmonelë të importuar nga Gjermania.
Sipas njoftimit të shpërndarë përmes sistemit europian RASFF, bëhet fjalë për një krem lajthie me kakao, i cili paraqet rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve.
Produkti është importuar nga kompania “Lengo Group”, e njohur edhe si rrjeti i marketeve “Baronesha”. Autoritetet bëjnë me dije se menjëherë pas sinjalizimit, është ndërhyrë për ndalimin e tregtimit të tij në tregun shqiptar.
Sipas të dhënave, pjesa më e madhe e produktit është bllokuar, ndërsa një sasi e vogël dyshohet se është shitur tek konsumatorët.
Bëhet fjalë për produktin “Nudossi Haselnuss-Nougat-Crème (300 g)”, me disa lote dhe data skadence të ndryshme, ndërsa rasti është raportuar fillimisht nga autoritetet gjermane dhe është konfirmuar në nivel europian.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos konsumojnë këtë produkt nëse e kanë blerë, ndërsa hetimet vijojnë për të gjurmuar shpërndarjen e tij në treg.




