
Policia e Shtetit ka larguar këtë të diel karriget që protestuesit kishin vendosur prej disa ditësh përpara godinës së Kryeministrisë, ku një pjesë e tyre qëndrojnë edhe gjatë natës në kuadër të protestës së përditshme.
Së bashku me karriget, efektivët hoqën edhe këpucët që ishin vendosur në shkallët e godinës si pjesë e simbolikës së protestës.
Tubimi qytetar vijon prej më shumë se 28 ditësh. Çdo mbrëmje, protestuesit mblidhen në orën 19:00 në qendër të Tiranës dhe më pas marshojnë drejt Kryeministrisë, ku mbajnë fjalime dhe përsërisin kërkesat për dorëheqjen e qeverisë.
Pas qëndrimit përpara godinës, protestuesit vijojnë marshimin në rrugët e kryeqytetit. Për bllokimin e qarkullimit gjatë këtyre marshimeve, dhjetëra pjesëmarrës janë proceduar nga policia në ditët e fundit.
Organizatorët e protestës kanë paraqitur disa kërkesa, mes të cilave dorëheqjen e qeverisë, krijimin e një qeverie teknike dhe shfuqizimin e disa ligjeve që, sipas tyre, cenojnë interesin publik dhe mjedisin.






