Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për projektin “The Albanian Files”, duke e cilësuar atë si një dëshmi të mungesës së transparencës së qeverisë ndaj qytetarëve.

Në një videomesazh, Berisha akuzoi Ramën se e trajton Shqipërinë si “pashallëkun” e tij dhe tha se përpiqet të përdorë emra të njohur dhe studio arkitekturore si mburojë për projektet e prezantuara.

“Ky libër dëshmon edhe njëherë mungesën e plotë të transparencës. Edi Rama e trajton Shqipërinë si një pashallëk apo bajrak të tij. Përpiqet të paraqesë emra e studio si mburojë, por harron se raportet më të shëmtuara me diktatorët i kanë pasur pikërisht arkitektët e tyre”, deklaroi Berisha.

Kreu i opozitës ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi financimin e projekteve të përfshira në “The Albanian Files”, duke kërkuar sqarime për burimin e fondeve.

“Së paku 523 projektet e paraqitura duhet të kenë kushtuar miliarda euro për hartimin e tyre. Kush i ka paguar këto projekte? Cili është burimi i këtyre parave?”, u shpreh ai.

Në përfundim të deklaratës, Berisha akuzoi kryeministrin Rama për keqpërdorim të fondeve publike dhe tha se kërkesat e protestuesve janë legjitime.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu