
Një dramë e heshtur po zhvillohet në Dubai, ku gjithnjë e më shumë qen dhe mace po braktisen ndërsa shumë rezidentë të huaj po largohen me nxitim nga qyteti pas tensioneve dhe sulmeve në rajon.
Sipas një raportimi të medias italiane La Repubblica, strehëzat dhe vullnetarët për mbrojtjen e kafshëve po përballen me një situatë emergjente, pasi çdo ditë shtohen rastet e kafshëve të lëna pas nga pronarët e tyre.
Vullnetarët tregojnë se kanë marrë kërkesa për eutanazi, ndërsa shumë kafshë janë lënë përpara klinikave veterinare ose janë gjetur të plagosura në shkretëtirë.

Anso Stander, e cila drejton strehëzën e kafshëve Six Hounds në Emiratet e Bashkuara Arabe, tha se vetëm në një ditë ka marrë dhjetëra mesazhe për ndihmë.
“Në një ditë të vetme mora 27 mesazhe”, tregoi ajo, duke shpjeguar se shumë pronarë nuk dinë çfarë të bëjnë me kafshët para se të largohen nga vendi.
Sipas saj, disa prej tyre u kërkojnë strehëzave t’i marrin kafshët, duke paralajmëruar se nëse nuk mund të ndihmohen, do t’i braktisin.
Edhe organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e kafshëve kanë ngritur alarmin. Hannah Mainds nga RSPCA Blackpool & North Lancashire, e cila ka jetuar më parë në Dubai, thekson se kafshët nuk duhet të bëhen viktima të harruara të krizës.
“Kafshët nuk duhet të bëhen viktimat e harruara kur njerëzit largohen nga një vend gjatë një krize. Ekzistojnë organizata dhe grupe që mund të ndihmojnë, por braktisja nuk duhet të jetë kurrë zgjidhja”, tha ajo.
Vullnetarët paralajmërojnë se nëse situata vazhdon me këtë ritëm, shumë qen dhe mace rrezikojnë të mbeten pa kujdes dhe të përballen me një fat tragjik.



