Lindja e Mesme po përjeton një përshkallëzim të ri, ndërsa Izraeli dhe Irani kanë nisur valë të reja sulmesh reciproke, në një konflikt që tashmë ka përfshirë drejtpërdrejt edhe Shtetet e Bashkuara.

Komanda Qendrore Amerikane bëri të ditur se tre ushtarë amerikanë janë vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur rëndë gjatë operacioneve ushtarake në rajon.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se gjatë sulmeve janë vrarë 48 drejtues iranianë dhe se SHBA ka fundosur 9 anije të flotës detare iraniane, duke “shkatërruar në masë të madhe” selinë detare të vendit.

Pas vrasjes së Udhëheqësit Suprem, Ali Khamenei, zyrtarët iranianë kanë formuar një këshill tranzitor për drejtimin e përkohshëm të vendit.

Trump deklaroi se drejtuesit e rinj iranianë “duan të flasin”, por nuk specifikoi me kë po zhvillohen kontaktet.

Forcat Ajrore izraelite kanë goditur objektiva në Teheran, ndërsa Irani ka lëshuar raketa dhe dronë në drejtim të Izraelit dhe bazave amerikane në rajon.

Ushtria izraelite njoftoi se ka neutralizuar mbi 50 dronë iranianë që nga nisja e operacionit.

Sipas mediave shtetërore iraniane, një sulm ndaj një shkolle vajzash në Minab ka shkaktuar të paktën 165 viktima, ndërsa në Izrael një raketë iraniane ka vrarë 9 persona në një strehë pranë Jerusalemit.

Ngjarjet kanë tronditur edhe tregjet energjetike. Trafiku në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për rreth 20% të naftës botërore, është reduktuar ndjeshëm, ndërsa disa kompani të mëdha detare kanë pezulluar kalimet.

Situata mbetet e tensionuar, me mobilizim të gjerë ushtarak në Izrael dhe paralajmërime për reagime të tjera nga Teherani, ndërsa konfliktit i shtohen dimensione të reja politike dhe strategjike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu