
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se protesta e zhvilluar jashtë Kuvendit ka devijuar drejt dhunës, duke shprehur solidaritet me katër punonjësit e Policisë së Shtetit të plagosur gjatë përplasjeve.
Ai u bëri thirrje organeve të drejtësisë të marrin masat e nevojshme ndaj autorëve të dhunës, duke theksuar se në një vend anëtar të NATO-s sulmet ndaj Policisë së Shtetit nuk mund të tolerohen.
“Çdo person që godet Policinë e Shtetit, godet vetë shtetin. Gjaku i punonjësve të Policisë së Shtetit është gjaku i vetë shtetit”, u shpreh Balla.
Sipas tij, aktet e dhunës synojnë të dëmtojnë sezonin turistik, ekonominë dhe imazhin e Shqipërisë.
Duke komentuar organizatorët e protestës, Balla përsëriti pretendimin se mes personave që, sipas tij, nxisin dhunën ka individë me lidhje me regjimin iranian. Ai përmendi me emër Dritan Goxhajn, për të cilin tha se është “shërbëtor i regjimit iranian”, ndërsa shtoi se organet e drejtësisë duhet të hetojnë këto pretendime dhe se pret procedime konkrete në ditët në vijim.
I pyetur për reformën administrativo-territoriale, Balla tha se diskutimi për zgjatjen e mandatit të Komisionit të Posaçëm është mbyllur dhe se tashmë procesi hyn në fazën e propozimeve.
Ai deklaroi se ende nuk ka një projekt përfundimtar për hartën e re territoriale dhe se çdo vendim do të mbështetet mbi kritere teknike, kushtetuese dhe ekonomike. Për debatin mbi bashkimin e mundshëm të Prrenjasit me Librazhdin, Balla tha se nuk ka ende një projekt dhe se pushteti vendor do të konsultohet sipas procedurave ligjore. “Këto nuk zgjidhen me protesta, por me komunikim”, deklaroi ai.
Në përgjigje të interesimit për deputetin Agron Shehaj, Balla tha se pretendimi se i ka përfunduar afati i përjashtimit nuk qëndron. Sipas tij, afatet u pezulluan në momentin që Shehaj kërkoi rishqyrtim të vendimit në Byronë e Kuvendit, ndaj përjashtimi përfundon të premten.
I pyetur nëse në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së do të ketë ndryshime në qeveri, Balla u përgjigj shkurt: “Duroni deri nesër, se keni shumë lajme sot.”






