Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka bërë thirrje që vrasjet e pazbardhura brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) të sqarohen njëherë e përgjithmonë, duke theksuar se institucionet duhet të ndërmarrin hapa konkretë për drejtësi.

Në një intervistë, Sejdiu u shpreh se shumë njerëz vazhdojnë të mungojnë dhe familjet e tyre meritojnë përgjigje të qarta për ngjarjet që kanë ndodhur.

“Vrasjet që kanë ndodhur në LDK ende s’janë sqaruar dhe është e nevojshme që të sqarohen një herë e përgjithmonë. Është e rëndësishme që institucionet e Kosovës të hedhin hapa për ndriçimin e secilit rast,” deklaroi ai.

Sejdiu theksoi se këto ngjarje kërkojnë përgjegjësi të qartë dhe një angazhim të sinqertë nga të gjitha institucionet për të garantuar transparencë dhe besim publik.

Duke folur për situatën politike, ish-kreu i shtetit u tregua i kujdesshëm, duke nënvizuar se zgjidhja më e mirë për president duhet të jetë ajo që sjell stabilitet dhe mirëqenie për vendin. Ai shtoi gjithashtu rëndësinë e respektimit të afateve kushtetuese për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Paslufta në Kosovë është shoqëruar me një sërë atentatesh ndaj zyrtarëve politikë, gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të afërt të ish-presidentit Ibrahim Rugova, shumë prej të cilave mbeten ende pa autorë. Mes rasteve më të njohura janë vrasjet e Ahmet Krasniqit, Enver Malokut, Xhemajl Mustafës, Ismet Rracit, Bekim Kastratit, Smajl Hajdarajt, Ukë Bytyçit dhe Tahir Zemajt.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy dekada, këto krime vijojnë të jenë subjekt polemikash politike dhe kërkesash për hetim, ndërsa familjarët besojnë se motivet kanë qenë kryesisht politike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu