
Prej shekujsh, njerëzit kanë besuar se disa kafshë mund të parashikojnë motin. Një nga traditat më të njohura zhvillohet çdo 2 shkurt në Punxsutawney të SHBA-së, ku një marmotë ( ketra të mëdhenj tokësorë) përdoret simbolikisht si “orakull” për të parashikuar dimrin.

Megjithatë, statistikat tregojnë se parashikimet e saj janë të sakta vetëm në rreth 30% të rasteve.
Shkenca, nga ana tjetër, sugjeron se natyra ka “sinjalizues” shumë më të besueshëm.

Për vite me radhë është menduar se edhe disa insekte, si larva e njohur “woolly bear”, mund të tregojnë sa i ashpër do të jetë dimri, bazuar në ngjyrat e trupit. Por studimet nuk kanë gjetur prova të forta që mbështesin këtë teori.
Zogjtë që ndjejnë stuhitë
Një zbulim i rëndësishëm u bë në vitin 2014, kur studiuesit vunë re se disa zogj të vegjël braktisën papritur zonat e folezimit në malet e Tennessee. Vetëm dy ditë më vonë, rajoni u godit nga një sistem i fuqishëm stuhish që shkaktoi dhjetëra tornado.

Zogjtë kishin fluturuar mbi 1.500 kilometra për t’i shpëtuar rrezikut dhe më pas u kthyen sërish. Shkencëtarët besojnë se ata arrijnë të perceptojnë infrasoundet – frekuenca shumë të ulëta të krijuara nga stuhitë – të padëgjueshme për njerëzit.
Një “parashikues” edhe më i saktë
Edhe më befasues është rasti i zogut verior “veery”. Studimet tregojnë se kohëzgjatja e sezonit të tij riprodhues lidhet ngushtë me intensitetin e sezonit të ardhshëm të uraganeve në Atlantik, madje me një saktësi që në disa raste rivalizon parashikimet zyrtare meteorologjike.

Ndërsa njerëzimi investon në inteligjencë artificiale dhe modele gjithnjë e më të avancuara për të kuptuar klimën, duket se natyra ka zhvilluar mekanizma paralajmërues shumë përpara teknologjisë moderne.






