
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka prezantuar nga Sarandë planin e masave për garantimin e një sezoni turistik të sigurt dhe të suksesshëm, duke paralajmëruar edhe vendosjen e sistemit e-Gate në portet e Sarandës dhe Durrësit.
Sipas Koçiut, institucionet kanë marrë masa të detajuara për të menaxhuar fluksin në rritje të turistëve dhe për të shmangur radhët në kufi.
Ajo deklaroi se Shqipëria është vlerësuar si shembull për menaxhimin e kufijve, në një kohë kur sistemi i ri europian i kontrollit kufitar ka shkaktuar vonesa në vendet e Bashkimit Europian.
Plani i masave përfshin:
- shtimin e sporteleve dhe personelit në pikat kufitare;
- përmirësimin e sinjalistikës rrugore;
- kalata të dedikuara për anijet turistike;
- lehtësimin e procedurave kufitare;
- patrullime të vazhdueshme në bregdet për sigurinë në det.
Koçiu tha gjithashtu se Shërbimi Kombëtar i Zjarrfikësve dhe Shërbimi i Urgjencës janë vendosur në gatishmëri për sezonin veror, ndërsa qendrat shëndetësore verore do të zgjerohen më tej.
Sipas saj, Ministria e Kulturës do të organizojë evente dhe aktivitete të shumta për turistët gjatë verës.
Një nga risitë kryesore të këtij sezoni do të jetë sistemi elektronik e-Gate, i cili pas suksesit në Aeroportin “Nënë Tereza” do të aplikohet edhe në portet e Sarandës dhe Durrësit për të reduktuar kohën e pritjes në kufi.






