
Në fund të adresimit të tij për qytetarët shqiptarë nga Aeroporti “Nënë Tereza”, kryeministri Edi Rama deklaroi se Reforma në Drejtësi dhe pavarësia e sistemit nuk do të ishin realizuar pa vullnetin politik të Partisë Socialiste, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara dhe Europa ndihmuan, por nuk mund ta realizonin reformën të vetëm.
Në adresimin e tij pas kthimit nga Nju Jorku, Rama tha se PS mori përsipër koston politike të reformës, duke e cilësuar atë si kalimin e “shpatës së drejtësisë” nga pushteti politik në duart e një drejtësie të pavarur.
“Pavarësia e drejtësisë nuk ra nga qielli, nuk e solli as koha, as SHBA dhe as Europa. Ata ndihmuan, por pa ne do të kishin bërë një Noc Rrok”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha se ai dhe Partia Socialiste morën përsipër reformën, edhe duke qenë të vetëdijshëm për kostot që ajo mund të sillte brenda vetë pushtetit.
“E bëra unë, jo se isha naiv, as se nuk e dija që do të kërkonte koka, por sepse ishte imja, jona barra e asaj sakrifice të madhe politike”, u shpreh Rama.
Sipas tij, fakti që sistemi i drejtësisë po heton edhe zyrtarë të lartë dhe njerëz pranë qeverisë tregon se ai tashmë ka fituar aftësinë për t’u “vetëpastruar”. Rama e cilësoi këtë si një nga rezultatet kryesore të Reformës në Drejtësi dhe tha se suksesin e saj “nuk e negocioj me askënd”.






