Një ngjarje e pazakontë ka shkaktuar reagime të forta në Greqi, pasi policë të armatosur dhe të pajisur me jelekë antiplumb hynë në redaksinë e televizionit publik ERT, në Athinë, për të kontrolluar një denoncim për pirje duhani.

Incidenti ndodhi të hënën, më 9 nëntor, në ndërtesën qendrore të radiotelevizionit publik në Agia Paraskevi, por është bërë publik përmes denoncimeve të gazetarëve.

Sipas mediave greke, efektivë të njësisë policore DIAS hynë në sallën e lajmeve, ku gazetarët po kryenin punën e tyre, të shoqëruar nga një punonjës sigurie i institucionit.

Shpjegimi që iu dha stafit ishte se policia kishte marrë një denoncim për pirje duhani në ambientet e punës.

“Kush i lejoi policët e armatosur të hynin në redaksi?”

Ngjarja është denoncuar publikisht nga Giannis Darras, përfaqësues i gazetarëve në bordin e ERT-së.

Ai ka ngritur pikëpyetje për mënyrën e ndërhyrjes, duke kërkuar të dijë përse ishte e nevojshme prania e efektivëve të armatosur në një redaksi televizive për një shkelje të mundshme të ligjit kundër duhanpirjes.

Darras ka theksuar se policia ka kompetenca ligjore për të kryer kontrolle, por ka vënë në dyshim proporcionalitetin e masës dhe respektimin e procedurave të sigurisë së institucionit.

Ai ka kërkuar gjithashtu sqarime nëse ka pasur koordinim paraprak me përgjegjësit e ERT-së për mënyrën e zhvillimit të kontrollit.

Rikthehen kujtimet e ndërhyrjes policore të vitit 2013

Për gazetarët e televizionit publik grek, pamjet e policëve të armatosur në redaksi kanë rikthyer kujtimet e vitit 2013.

Në atë periudhë, pas vendimit për mbylljen e ERT-së, forcat speciale të policisë greke ndërhynë në ndërtesën e radiotelevizionit dhe larguan punonjësit që qëndronin brenda.

Përfaqësuesi i gazetarëve ka sqaruar se dy ngjarjet nuk janë të njëjta, por ka paralajmëruar për rrezikun e normalizimit të pranisë së forcave të armatosura policore në ambientet ku ushtrohet gazetaria.

ERT përfshihet edhe në dy polemika të tjera

Denoncimi vjen në një periudhë tensionesh për televizionin publik grek.

Së fundmi, ERT është kritikuar për paraqitjen në një emision të Panagiotis Iliopoulos, ish-deputet i Agimit të Artë, i dënuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Sipas denoncimit të Darras, ai u prezantua në emision pa u bërë e qartë historia e tij politike dhe dënimi gjyqësor.

Pas reagimeve, drejtuesit e televizionit morën masa disiplinore, përfshirë pezullimin e përkohshëm të emisionit dhe një masë dhjetëditore pa pagesë.

Një tjetër polemikë lidhet me përdorimin e një termi të konsideruar diskriminues për emigrantët në një edicion lajmesh.

Darras i ka përmendur këto tri ngjarje si shembuj të shqetësimeve për standardet e televizionit publik, pa pretenduar se ato janë të lidhura mes tyre.

Incidenti me policët ka hapur debat në Greqi mbi kufijtë e ndërhyrjes policore, autonominë e redaksive dhe përgjegjësinë e drejtuesve të mediave publike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu