
Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj mënyrës se si është administruar nga organet e drejtësisë çështja e ish-drejtores së SHISH, Vlora Hyseni, duke theksuar se hetimi i saj është kompetencë ekskluzive e drejtësisë, por mënyra e veprimit ka ekspozuar një institucion kyç të sigurisë kombëtare.
Në adresimin nga Aeroporti “Nënë Tereza”, Rama tha se vendosja e masës ndaj ish-drejtueses së SHISH ishte një masë ekstreme, por theksoi se nuk ndërhyn në përmbajtjen e dosjes dhe se çdo dyshim ndaj Hysenit duhet të hetohet deri në fund.
Kritika e kryeministrit u përqendrua te administrimi i dosjes dhe publikimi i të dhënave të hetimit. Sipas tij, gjatë marrjes së masës dhe administrimit gjyqësor të çështjes, SHISH u ekspozua ndaj një dëmi potencialisht të madh, i cili “mund dhe duhej të ishte parandaluar plotësisht”.
Rama vuri në dukje se të dhëna nga dosja hetimore kishin vërshuar në rrjetet sociale dhe media përpara se gjykata të urdhëronte kufizimin e publikimit të tyre, një ndërhyrje që ai e cilësoi të vonuar, “si kofini pas të vjelit”.
Sipas kryeministrit, kur një hetim arrin deri te drejtuesi i shërbimit inteligjent të vendit, çështja nuk mund të trajtohet vetëm si problem i një pushteti të pavarur, pasi prek sigurinë dhe reputacionin e shtetit. Rama tha se mënyra e trajtimit të rastit kishte lënë të habitur edhe partnerët ndërkombëtarë.
Ai theksoi se nuk është e pazakontë që drejtuesi i një shërbimi sekret të merret i pandehur, por e konsideroi të papranueshme që vetë institucioni të shndërrohet në objekt të thashethemeve kombëtare dhe ndërkombëtare për shkak të mungesës së masave mbrojtëse gjatë hetimit.
“Hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit janë detyrë ekskluzive e drejtësisë”, tha Rama, ndërsa shtoi se mbrojtja e SHISH nga çdo dëm i panevojshëm kolateral është përgjegjësi e të gjithë shtetit.
Kryeministri ngriti gjithashtu një kritikë më të gjerë ndaj sistemit, duke deklaruar se pavarësia e drejtësisë nuk mund të nënkuptojë shkëputje nga Kushtetuta apo përgjegjësia institucionale. Sipas tij, Prokuroria ka të drejtën dhe detyrën të hetojë, gjykata të gjykojë dhe media të informojë, por askush nuk duhet ta shpallë një person fajtor përpara vendimit të drejtësisë.
Rama tha se çështja duhet të diskutohet edhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, me qëllim përcaktimin e garancive për mbrojtjen e institucioneve të sigurisë kombëtare në rastet kur drejtues apo punonjës të tyre bëhen subjekt i hetimeve penale.
Sa i përket vetë Hysenit, Rama tha se e kishte vlerësuar punën e saj në krye të SHISH dhe se edhe vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë kishin qenë “vijimësisht shumë pozitive”. Megjithatë, ai theksoi se llogaria e saj me drejtësinë është tashmë një çështje individuale dhe se çdo akuzë duhet ose të provohet, ose të rrëzohet në një proces të paanshëm.






