
Diplomati sllovak Miroslav Lajçak ka dhënë dorëheqjen nga posti i këshilltarit të kryeministrit Robert Fico, pasi në dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë u zbuluan mesazhe të shkëmbyera mes tij dhe financierit të dënuar Jeffrey Epstein. Lajçak, i cili ka mbajtur edhe detyrën e të dërguarit të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, rezulton të përmendet qindra herë në materialet e publikuara.
Sipas dokumenteve, bisedat përmbajnë tone miqësore dhe komente të papërshtatshme për “vajzat”. Në një mesazh nga tetori i vitit 2018, Lajçak i shkruante Epsteinit nga Kievi: “Përshëndetje nga Kievi! Dua vetëm të konfirmoj se vajzat këtu janë po aq të bukura sa gjithmonë.” Në komunikime të tjera ai shprehej: “Vajzat janë të mrekullueshme!”, ndërsa Epstein i përgjigjej: “Janë eksporti i tyre më i mirë.”
Bisedat vijojnë me shkëmbime ironike, ku Epstein i shkruan se mund t’i kishte “të dyja”, ndërsa Lajçak përgjigjet: “Kjo nuk është e drejtë!” dhe më pas shton: “Ti nuk më njeh mua në aksion.” Në një tjetër moment, diplomati i drejtohet financierit me pyetjen: “Pse nuk më fton për këto lojëra?”, duke shtuar se “ndarja është kujdes”.
Në një tjetër komunikim, Lajçak pranon se nuk kishte asnjë vajzë pranë në atë moment, ndërsa Epstein i përgjigjet se ishte me dy. Dokumentet tregojnë gjithashtu se në një email të vitit 2017, diplomati i kishte kërkuar Epsteinit të ndihmonte një producente filmash për të futur filmin e saj në listën e ngushtë të çmimeve Oscar.
Publikimi i materialeve ka shkaktuar reagime të forta, duke çuar në largimin e Lajçakut nga detyra. Deri tani nuk dihet nëse ai do të japë sqarime të mëtejshme mbi përmbajtjen e komunikimeve, ndërsa rasti pritet të ketë jehonë në diplomacinë europiane.






