
Një e diel e vështirë është regjistruar në aksin rrugor Librazhd – Qafë Thanë, ku shembja e gurëve në zonën e Dragostunjës solli bllokimin e plotë të qarkullimit dhe radhë kilometrike automjetesh në të dy drejtimet.
Dhjetëra drejtues mjetesh mbetën të bllokuar për orë të tëra, ndërsa trafiku u rëndua edhe nga fluksi i lartë i fundjavës. Situata krijoi vështirësi të mëdha për udhëtarët që lëviznin drejt juglindjes dhe anasjelltas.
Autoritetet njoftojnë se rruga tashmë është hapur dhe qarkullimi vijon normalisht në të dy kahet. Në terren ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore, patrullat e përgjithshme dhe forcat “Shqiponja”, të cilat po monitorojnë lëvizjen për të shmangur bllokime të tjera.
Policia Rrugore e Elbasanit apelon për kujdes maksimal gjatë drejtimit, respektim të radhës dhe zbatim rigoroz të rregullave të qarkullimit. Në rast nevoje apo për të raportuar shkelje që pengojnë lëvizjen, qytetarët mund të telefonojnë në 112.



