
Spanja është përfshirë sërish nga tragjedi hekurudhore, pasi vetëm dy ditë pas aksidentit fatal në Andaluzí, mbrëmjen e së martës dy trena të tjerë kanë dalë nga shinat, duke rënduar më tej bilancin e viktimave dhe të të plagosurve.
Në Katalonjë, një tren i linjës R-4 doli nga shinat pranë Gèlida, rreth 30 kilometra nga Barcelona, pas shembjes së një muri mbajtës të autostradës AP-7 mbi binarë, dyshohet si pasojë e reshjeve të dendura të ditëve të fundit. Macchinisti humbi jetën, ndërsa të paktën 40 persona u plagosën, 5 prej tyre në gjendje të rëndë. Një tjetër tren doli nga shinat mes Maçanet Massanes dhe Tordera, në provincën e Gironës, por pa pasoja në njerëz.
Ndërkohë, në Andaluzí, autoritetet konfirmojnë se numri i viktimave nga aksidenti i së dielës ka shkuar në 42. Pamjet nga vendngjarja tregojnë vagonë të shkatërruar, bagazhe të shpërndara dhe objekte personale të mbetura mes hekurave të përthyer. Procesi i identifikimit vijon, ndërsa 9 persona ndodhen ende në terapi intensive.
Mbreti Felipe VI dhe Mbretëresha Letizia vizituan zonën e katastrofës dhe të plagosurit në spitalin e Kordobës, duke shprehur solidaritetin e gjithë vendit me familjet e viktimave. “Forca e një kombi matet edhe nga mënyra se si përballet me emergjencat”, u shpreh Mbreti.
Autoritetet spanjolle bëjnë me dije se hetimet janë në fazë fillestare dhe se të gjitha pistat mbeten të hapura. Ministria e Transporteve ka urdhëruar analizë laboratorike të binarëve dhe mekanizmave të trenit Iryo, i cili deragoi i pari të dielën. Për arsye sigurie, shpejtësia e trenave është kufizuar përkohësisht, ndërsa sindikatat e makinistëve kishin raportuar prej muajsh vibrime të pazakonta në disa segmente të linjës Madrid–Barcelona.
Qeveria spanjolle ka premtuar zbardhje të plotë të ngjarjeve, ndërsa vendi mbetet në zi për një nga seritë më të rënda të aksidenteve hekurudhore të viteve të fundit.






