
Zjarret masive që kanë përfshirë jugperëndimin e Francës dhe pjesë të Spanjës kanë detyruar autoritetet të evakuojnë mbi 73 mijë persona, ndërsa situata vijon të përkeqësohet për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta.
Në Francë, autoritetet urdhëruan evakuimin e plotë të gadishullit turistik Cap Ferret, pranë Bordosë, ku rreth 40 mijë persona janë larguar nga zona, shumë prej tyre me varka drejt Arcachon. Flakët kanë përfshirë mbi 10 mijë hektarë pyje, kanë shkatërruar të paktën 53 banesa dhe një kamping, ndërsa mbi 2 mijë shtëpi janë shpëtuar falë ndërhyrjes së zjarrfikësve.
Një tjetër vatër e madhe është regjistruar në Biscarrosse, ku më shumë se 23 mijë persona janë evakuuar nga banesat, kampingjet dhe qendrat verore. Deri tani janë dëmtuar ose shkatërruar 105 ndërtesa.
Presidenti francez Emmanuel Macron e cilësoi situatën “shumë të tensionuar”, ndërsa Bashkimi Evropian ka dërguar tre avionë dhe dy helikopterë për të ndihmuar në shuarjen e flakëve.
Edhe Spanja po përballet me një situatë kritike. Qeveria shpalli gjendjen e emergjencës kombëtare, pasi disa zjarre pranë Madridit vijojnë të jenë jashtë kontrollit. Kryeministri Pedro Sánchez tha se flakët po shkatërrojnë mijëra hektarë tokë dhe po prekin shumë komunitete.
Mbi 10 mijë persona janë evakuuar në zonat e Villa del Prado, San Martín de Valdeiglesias dhe Burgohondo, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se temperaturat e larta dhe thatësira po favorizojnë përhapjen e shpejtë të zjarreve.
Sipas ekspertëve, Evropa mbetet kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, ndërsa ndryshimet klimatike po rrisin ndjeshëm rrezikun e zjarreve shkatërruese gjatë verës.






