
Prishtinë, 15 janar 2026 – Ish diplomati amerikan dhe miku i Kosovës, William Walker, ka folur sërish për masakrën e Reçakut, duke theksuar se kujtimi i asaj dite tragjike mbetet i pashlyeshëm sa herë që rikthehet në Kosovë.

I ftuar special në emisionin “Politiko”, Walker u shpreh se çdo vizitë në Kosovë i rikthen menjëherë në mendje ngjarjet e Reçakut, veçanërisht kur flet me gazetarë apo qytetarë.
“Siç ju kam thënë të gjithëve, sa herë që kthehem në Kosovë dhe flas me gazetarë, gjithmonë më përkujtohet ajo ditë. Kam kaluar shumë kohë duke folur për Reçakun, por gjithmonë ndiej nevojën të flas sërish për çfarë ka qenë dhe pse është bërë ajo që përfaqëson sot”, u shpreh Walker.
Sipas tij, Reçaku nuk është thjesht një ngjarje historike, por një simbol i vuajtjes, i së vërtetës dhe i betejës për drejtësi. Ai theksoi se kujtesa për masakrën duhet të ruhet dhe të përcillet te brezat e rinj, si një mësim i rëndësishëm për të kaluarën dhe për të ardhmen.
Deklaratat e Walker vijnë në kuadër të përvjetorit të masakrës së Reçakut, një nga ngjarjet më tronditëse të luftës në Kosovë, e cila luajti rol kyç në ndërgjegjësimin ndërkombëtar për krimet e kryera nga forcat serbe ndaj civilëve shqiptarë.






