
Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se i ka përcjellë autoriteteve kompetente franceze kërkesën zyrtare për ekstradimin e shtetasit E. B., së bashku me dokumentacionin përkatës të përcjellë nga organi procedues.
Sipas ministrisë, procedura është kryer në përputhje me legjislacionin shqiptar, marrëveshjet ndërkombëtare dhe mekanizmat e bashkëpunimit juridik me Republikën Franceze. Vijimi i procesit të ekstradimit do të zhvillohet sipas legjislacionit francez dhe instrumenteve ndërkombëtare në fuqi.
Ministria e Drejtësisë thekson se do të vijojë të ushtrojë kompetencat e saj dhe të bashkëpunojë me autoritetet e të dy vendeve deri në përfundimin e procedurës.
Institucioni sqaron se procedura nis pasi autoritetet shqiptare njoftohen për lokalizimin ose arrestimin e personit në shtetin e huaj. Më pas, prokuroria paraqet kërkesën për ekstradim, dokumentacioni verifikohet, përkthehet dhe nënshkruhet nga ministri i Drejtësisë, përpara se t’u përcillet autoriteteve të shtetit të kërkuar në rrugë diplomatike ose elektronike.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, afati për paraqitjen e kërkesës formale rregullohet nga Konventa Evropiane për Ekstradimin, e cila parashikon deri në 40 ditë nga arrestimi ose ndalimi provizor për dorëzimin e dokumentacionit.






