Autoriteti britanik i Standardeve të Reklamimit (ASA) ka ndaluar posterat promocionalë të filmit horror “Lee Cronin’s The Mummy” në hapësirat publike të Londrës, pasi i konsideroi tepër realistë dhe të papërshtatshëm për fëmijët.

Vendimi u mor pasi ASA mori 30 ankesa nga qytetarë që kërkuan heqjen e posterave nga metroja dhe vende të tjera publike. Imazhi paraqet një vajzë me pamje të mumifikuar, me lëkurë të zbehtë dhe një sy të enjtur, shoqëruar me sloganin: “Disa gjëra janë të destinuara të mbeten të varrosura”.

Sipas autoritetit, megjithëse bëhet fjalë për një personazh imagjinar, pamja e tij krijon përshtypjen realiste të një fëmije të vdekur dhe mund të shqetësojë fëmijët që e shohin në ambientet publike.

Warner Bros kundërshtoi vendimin, duke argumentuar se fushata publicitare ishte realizuar me përgjegjësi dhe se në poster nuk shfaqeshin skena dhune apo elementë kërcënues. Kompania theksoi gjithashtu se reklamat ishin miratuar më parë nga operatori i reklamave të Transport for London.

Megjithatë, ASA konstatoi se një nga posterat ishte i dukshëm nga një kopsht fëmijësh dhe vendosi ndalimin e tyre në të gjitha hapësirat publike ku mund të shihen nga të miturit. Kufizimi nuk prek reklamat televizive apo ato në platformat streaming, të cilat transmetohen vetëm pas orës 19:30.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu