Karnavalet e Notting Hill kanë festuar 60-vjetorin mes një spektakli gjigant ngjyrash, muzike dhe kostumesh në rrugët e Londrës, duke konfirmuar statusin e tyre si festa më e madhe e rrugës në Europë.

Për tri ditë, Londra perëndimore u pushtua nga mijëra kërcimtarë, muzikantë dhe pjesëmarrës me kostume shumëngjyrëshe, ndërsa më shumë se dy milionë njerëz pritej t’u bashkoheshin festimeve.

Karnavalet e Notting Hill, të zhvilluara për herë të parë në vitin 1966, janë kthyer gjatë gjashtë dekadave në një nga simbolet më të rëndësishme të kulturës dhe historisë së komuniteteve të Karaibeve në Britaninë e Madhe.

Festimet nisën të shtunën me konkursin e bandave “steelband”, vijuan të dielën me paradën e fëmijëve, ndërsa të hënën rrugët u mbushën nga parada e të rriturve, grupet muzikore dhe më shumë se 30 sisteme të mëdha zanore.

Pupla, gurë vezullues, kostume spektakolare dhe ritmet tradicionale Calypso dhe Soca dominuan rrugët, ndërsa festa u shoqërua edhe nga gatimet karakteristike të Karaibeve, veçanërisht ato xhamajkane.

Në orën 15:00, muzika dhe festa u ndërprenë për 72 sekonda. Turma mbajti heshtje në kujtim të 72 personave që humbën jetën në zjarrin tragjik të Grenfell Tower në qershor të vitit 2017, pranë zonës ku zhvillohen Karnavalet.

Por përtej spektaklit, autoritetet britanike kishin ngritur një nga operacionet më të mëdha të sigurisë për këtë aktivitet.

Më shumë se 7 mijë efektivë të Policisë Metropolitane u vendosën në Londrën perëndimore, ndërsa mbi 3 mijë punonjës sigurie dhe kujdestarë u angazhuan përgjatë festimeve. Më shumë se 330 persona ishin ndaluar paraprakisht të merrnin pjesë në Karnavalet si pjesë e kushteve të lirimit të tyre me kusht.

Vetëm gjatë së dielës, policia arrestoi 243 persona për vepra të ndryshme, përfshirë posedim droge dhe armësh, sulme dhe vepra seksuale.

Dy persona u plagosën me mjete prerëse dhe morën trajtim mjekësor, por sipas autoriteteve britanike, plagët e tyre nuk paraqisnin rrezik për jetën.

Pavarësisht incidenteve dhe pranisë masive të policisë, Karnavalet e Notting Hill mbeten një nga ngjarjet më të mëdha kulturore të Londrës dhe Europës.

Nga një festë e komunitetit të Karaibeve e nisur në vitin 1966, ato janë shndërruar në një spektakël gjigant që çdo vit sjell miliona njerëz në rrugët e kryeqytetit britanik.

Burimi: BBC

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu